Të rinjve dhe të rejave që e duan Shqipërinë!

0

Nga Ferat Mekshi

I kalova 18 vite e jetës sime në fshat. U rrita mes dashurisë, shokëve dhe pamundësive, pa jetë sociale, pa jetë kulturore. Nuk e kam ditur kurrë se si është të shkosh me familjen në teatër, aq më pak në kinema. Nuk ka mjaftuar kurrë koha të shkojmë në bibliotekë, sepse nuk ka ekzistuar asnjëherë një e tillë.
Siç e thashë, në fshat nuk ka ekzistuar asnjëherë jeta sociale. Nuk di të ketë pasur ndonjëherë jetë kulturore, aq më pak qasje në vendimmarrje politike.
Gjatë këtyre 18 viteve, mbaj mend shumë mirë çdo fushatë elektorale. Para 16-viteve gjithë banorët e fshatit kërkonin gjërat minimale: rrugë, sistemimin e ujit të pijshëm, rehabilitimin e shkollës, transport për nxënësit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Erdhi 2005-a, këto gjëra u premtuan me dashurinë e pakufishme të kandidatëve. Në 2007-ën, për dreq, e njëjta gjë. Nuk mbaj mend asgjë tjetër, duart plot kallo të njerëzve punëtore, të përvëluar nga dielli, të rraskapitur nga puna, me shpresën e vetme se një palo politikan do të bënte diçka të vetme për fshatin. Në 2009-ën, mbaj mend se filluan gjërat të bëheshin më interesante. Thasë me miell, dreka, darka, thasë me ushqime, lekë në zarf. Njerëzit u grupuan në 3 sekte politike. Sigurisht, kurrë s’do të kërkonin njerëzit më shumë sesa rrugë, asistencë për rregullimin e ujit të pijshëm, e ritheksoj “asistencë’’, sepse njerëzit e fshatit e kanë siguruar vetë personalisht ujin e pijshëm 1000 metër thellë në minierë. Ah, se harrova, edhe atë dreq shkolle që kishte vetëm 2 klasa. Unë e kam bërë shkollën fillore aty. Në njërën dhomë rrinte klasa e parë dhe klasa e tretë, ndërsa në tjetrën rrinte e dyta dhe e katërta. Pas atij viti, s’pata marrë kurrë më pjesë në fushata elektorale, megjithëse kam pasur bindjet e mia politike.
Sot, jam 25 vjeç, punoj me kohë të pjesshme si menaxher projektesh në turizëm dhe me kohë të plotë si financier në një kompani të huaj. Kthehem në fshat për të kaluar pak kohë me prindërit, ndaj dua t’ju them se deri sot që flasim: rruga nuk u shtrua kurrë, uji i pijshëm ashtu sikurse ka qenë, ndërsa shkolla që nuk u rregullua kurrë, tashmë nuk ka më nxënës.
Shokët me të cilët jam rritur, janë larguar. Të gjithë të rinj që nuk kanë për t’u kthyer më, kurrë. Ata pak njerëz që kanë mbetur, vazhdojnë po njësoj. Në fshat nuk ka jetë sociale, nuk ka jetë kulturore. Mundësitë për t’i dhënë fëmijës një edukim siç duhet, janë ZERO. Nuk ka kurrë pushime verore, ndërsa politikanët tanë nuk duan t’ia dinë fare se sa kushton dhoma më e shtrenjtë e hotelit luksoz në Mikonos, Santorini ose në vende të tjera të botës.
Nuk ka pasur e nuk do të ketë kurrë një kopsht për fëmijët, një shkollë për ta. Nuk do të ketë kurrë një rrugë të shtruar, edhe pse Arka e Shtetit përfiton mbi 1 milionë dollarë taksa nga shfrytëzimi i mineralit të kromit.
Kështu ka qenë dhe do të jetë, jo vetëm në fshatin tim. Kështu do të jetë në çdo fshat të Shqipërisë. Edhe këtë e dimë më së miri të gjithë. Nuk ka për të pasur kurrë zhvillim, përderisa jemi kaq indiferentë.
Ndaj sot, me zemrën e thyer, them se është momenti të themi STOP.
Fushatën më të bukur e ka bërë NISMA #. Bashkohu edhe ti të ndryshojmë të gjithë sistemin.

Leave A Reply

Your email address will not be published.