Kamiona dhe bataliona
Nga Fatos Fico*
Pak ditë më parë ndoqa një leksion ekonomie në një fakultet ekonomie i vlerësuar si me i miri në UK. Leksioni ishte mbi lidhjet e ekonomisë me shkencat e tjera. Në vendet e zhvilluara një pjesë e madhe e popullësisë zotëron të mira materiale të cilat vështirë se mund te shtohen më tepër. Për ekonomistët rritja klasike ekonomike e shprehur – të rritemi duke konsumuar më shumë, më shumë, e gjithçka, po bëhet e pamundur, aq më tepër nqs konsiderojmë planetin. Një diskutim i rilindur bashkë me sociologë, linguistë, ekspertë të sjelljes, është – a duhet të kërkojmë më shumë mirëqënie jo materiale – të jemi të kënaqur, me çfarë jemi e çfarë bëjmë dhe si të ndihemi sa më mirë apo të vazhdojmë të kërkojmë të kemi sa më shumë të mira materiale. Këto të fundit në formën e prodhimit kombëtar që rritet gjithmonë e më shumë sepse automatikisht ai rrit mirëqënien. Psh. investimet apo blerjet që bëhen tani për ventilatorë spitalesh, maska, tampona e rritin prodhimin kombëtar po nuk është se ne ndihemi më të lumtur me këtë. Krijimi i një parku kombëtar natyror nuk kërkon asnjë investim, thjesht ca tipa mos presin pemë në ca male e kodra. Kjo nuk e rrit prodhimin bruto, por kur e vizitojmë atë park ndihemi shumë më të lumtur edhe pse nuk harxhuam para kur krijuam parkun. Në fakt nuk ka asgjë të re nën këtë diell, thënia popullore më mire i lumtur në një kasolle sesa i burgosur në një kështjellë është e vjetër sa vetë kështjellat që janë edhe më të vjetra se sa mund të mendoni.
Ekonomistët në ndryshim nga detarët, biologët, eksploratorët, tregtarët nuk nisen drejt horizonteve të reja, ata ju përvishen llogarive, faturave, bilanceve të ngjarjeve të ndodhura më parë. A nuk është një ambrekui të jesh ekonomist tek NASA. – Ishe në Hënë, Armstrong? I solle faturat? Më vjen keq po fake news, kjo që shkele i pari atje. Një ekonomist e di se sa para ke patur ti më parë, për çfarë i ke shpenzuar, pse i ke shpenzuar, ti je nje Homo economicus. Por nuk është se ne të gjithë u çuditëm kur mësuan, sa e blemë makinën, pse e zgjodhëm markën Merc e jo Muri Madh kinez, sa para paguam në taksa, sa para na i hëngri inflacioni, sa shtëpi do blenim pas 20 vjetëve me ato para, sa i paguam sheikëve të Opec, e sa për spitalin që nuk mbaroi kurrë me paratë që na morën si taksë karburanti. Dhe të mendosh që paguan e taksë mjedisore kur natyrën e krijon me një vijë në hartë. Për ekonomistët kjo lojë nuk ishte aq interesante, madje është dhe e rrezikshme të dish sa para mbledh qeveria dhe për çfarë i shpenzon sepse nganjëherë qeveritë i pyesin edhe ekonomistët si të mbledhin sa më shumë para dhe se si të shpenzojnë sa më shumë para, sidomos duke krijuar borxhe për brezat e ardhshëm gjithmonë e më larg në kohë. Mirë që Ilirët nuk lanë gjë me shkrim se do dilte që po paguajmë borxhet e tyre, ashtu si na bëjnë aq shumë krenarë për prejardhjen. Pse të dalë nami i keq kot? Atëhere ekonomistët thanë po sikur të më thuash o njeri çfarë melodie fishkëlleje në vitin xxx e unë të them sa para kishe në xhep? Por a mund të pranojë psh një burrë që fishkellente dikur këngë të “Spice Girls”, a një grua se dikur vishesh si Ozzy Osbourne. Ath e ndryshuan kërkimin dhe thanë të ndërtojmë një hipotezë që duke analizuar të zezën mbi të bardhë, të analizojmë për fjalë apo shprehje kyçe me konotacion pozitiv a negativ, në miliona libra, gazeta, revista të dixhitalizuara përgjatë 100 viteve të fundit, të shikojmë nëse gjejmë një lidhje mes fjalëve dhe ekonomisë. Nqs një vit i caktuar apo një periudhe ishin të mirë a të këqinj nga ana ekonomike, me paqe, luftra e konflikte, në bazë të fjalëve të përdorura në ato vite në libra, ne fare lehtë mund ta gjejmë. Ata vunë re se përgjithësisht në vitet e mira e me rritje ekonomike mbizotëronin shkrime e vepra optimiste e anasjeltas. Fiuu!
Për vendet me diktature kjo metodë nuk mund të zbatohesh sepse shkrimet e publikimet çensurohen e fjalët nuk tregojnë realitetin. Por, “the show must go on”. Ne që kemi jetuar në diktaturë e dimë që pavarësisht nga çensura sado e fortë, liria dhe realiteti e gjejnë anën që edhe të fshehura e të shtypura poshtë propagandës të shfaqen gjithmonë në një formë a një tjetër. Kjo aq më shumë pas shumë vitesh kur diktatura ka rënë dhe i shikon shkrimet apo krijimet e asaj kohe nga kënd vështrime e njohuri të reja.
Besoj ju kujtohet ai skeçi i famshëm i estradës si ndahen 28 kamiona për 7 bataliona. Rezultati del 13 dhe ndarësi e provon dy herë rezultatin, me mbledhje dhe me shumëzim që përfundimi është i drejtë. Në skeç, pjesëtuesi është një kapter i ish- mbretërisë, po kjo është veshja me dokun kinez të kohës socialiste. Autori nuk i ka njohur kapterët e mbretërisë, ai njeh kapterët e ushtrisë popullore. Ushtria ishte mënyra se si pushteti ushtronte forcën dhe veçanerisht nën frymen e revolucionit kulturor kinez, ishte arma finale me të cilën rregjimi sundonte mbi vendin, ekonominë, dijen dhe artin. Në Shqipëri në kohën kur është shkruar skeçi janë tashmë të formuar më shumë brënda, po edhe jashtë vendit me mijëra inxhinierë, mjekë, artistë. Në ushtri ku duhet të shkojne të gjithë së paku një muaj në vit, ligjin e bën kapteri. Kapteri simbolizon “të keqen” e ushtrisë, për të gjithë, sepse është e rrezikshme të kapesh me komisarin apo oficerët që janë figura politike. Kapteri nuk është injorant fare, një pjesë e madhe vijnë nga zona të pazhvilluara e të largëta dhe e shikojne ushtrine si një mënyrë për të ikur nga varfëria. Falë sistemit ai ka bërë pak shkollë dhe shpesh është më i flaktë edhe se komisari në mbrojtje të vijës së partisë. Shkurt, ato intelektualët e profesorët mos bëjnë shumë të zgjuarin e të diturin, po të mbushin ato 13 kamionët për batalion. Për ata që vetëm ankohen se nuk del 13, 28 pjesëtim për 7, nuk është se po blejnë mall pa provë e që komanda nuk e mbështet. Ka dy prova që bën kapteri, e para mbledh 13-tën 7 herë; shumezon 13 me 7 dhe i del gjithmone po 28.
Kapteri ka të drejtë sepse ka prova dhe aprovim nga lart apo jo?
Po, po. Kjo është e thellë. Numri i kamioneve të kapterit shkon te prapavija. Ekonomisti në prapavijë, një intelektual me probleme shëndeti, gati armik i popullit, që është aty se nuk mund të jetë as ushtar i thjeshtë, shikon se i kerkohen 13 kamionë për batalion. Janë 7 batalione, i del se duhet të gjejë 91 kamione. Në inventar ka vetëm 28 kamionë. I kërkon shokëve të prodhimit që të prodhojnë më shumë kamionë. Shokët e prodhimit nuk munden, se bllokada nuk çahet me kamionë. Atehere qan hallin me komisarin si komnada më e lartë. Komisari njeh mirë përqindjet dhe planet që i kërkohen Sa përqind më shume realizim plani për batalion/kamion duhen thotë ai? 700 % më shumë? 91 kamionë pjesëtim 700% baraz me 13 kamionë/batalion. Pra këta 13 kamione duhet të punojnë vetëm 700 % më shumë thotë ai, posi shoku Lej Fen që arrin edhe 1500% të planit. Ekonomistit, sikur nuk i del llogaria – shoku komisar, po rrisim vetëm plan kamionët, po numrin e plan batalioneve të ushtrisë popullore nuk mund ta lëmë pa e rritur. E vërtetë thotë komisari, njeriu i ri është forca e vërtetë e ushtrisë tonë popullore dhe jo kamionët. Mbi 700% e komisarit, ai llogarit 28 x 700 % =196 plan bataliona, 7 kamiona x 700% = 49 plan kamiona, rezultati final del 196/49 = 4 kamiona për batalion.
Komisari nuk mbahet – e vërtetë, kjo është një llogaritje shumë inovatore, tejet revolucionare, që bazohet mbi punën e kuadrove popullore të ushtrisë sonë e llogaritë e komandës, 13-ta e barabartë me 700% të 4, kur 28-ta ndahet për 7-të.
Nqs duhet të abstrakojmë si më sipër për të kuptuar si ishte realiteti në ato vite duke u nisur nga ky skeç, shikojmë se kemi një klasë “profesionistësh” që ndihet sidoqoftë e shtypur nga “injoranca” e sistemit dhe se flitet për kamionë, pra transport e teknologji që nënkuptojnë “një mirëqënie” më të madhe në ato vite dhe se së paku padituria dhe partizanëria endemike në sistem nuk e lejon atë të jetë efektiv, sa mund të ishin kompetencat teknike.
Për vitet 2019 dhe 2020 nuk ka nevojë të bëjmë shumë stërhollime në kërkime e abstraksione sepse me dy ngjarje si tërmeti dhe korona virus është fare e thjeshtë të themi se nuk do të jenë aspak vite të mira ekonomike. Fjalët luftë, armik, shtet rrethim, polici, ushtri, mbyllje kufijsh, autorizim, bllokim, izolim, gjoba, burg, pastaj flasin vetë për mirëqënien.
Qeveria shqiptare kërceu lidhur me korona virus nga padëshira për njohje të realitetit e inaktiviteti në masat më drastike. Ajo çfarë ne nuk dimë si shoqëri është kush i bën llogaritë në qeveri? Kush vendos? Kush këshillon? Nqs Boris Johnson del me bashkë me këshilltarët dhe përgjegjesit për shëndetin të UK dhe i referohet atyre për planin dhe etapat, a ka në Shqipëri njerëz me kompetenca te tilla? Opozita në UK u fut në diskutime të forta me këshilltarët e kyeministrit dhe përgjegjësit nëpunës civilë për shëndetin lidhur me planin dhe analizën që ata kishin per gjendjen. A ka plan në Shqipëri? A ka ndonjë nëpunës civil?
A ka mekanizma qeveria shqiptare të kuptojë, të verifikojë, të ndryshojë nqs duhet llogaritë e planet që bën? Kapteri i UP është i bindur se 13-ta është numri i duhur madje e provon dy herë se ka shumë të drejtë. Po kështu dhe komisari, madje me tejkalim plani 700 % del me të njëjtin numër.
Masat drastike është vështirë të mbahen për një kohë të gjatë në vende me realitet ekonomik e social si Shqipëria, pa shkaktuar kolaps total e varfërim të tej skajshëm për shkak të ndërprerjes së aktivitetit ekonomik e rritjes së kostove të çdo aktiviteti tjetër. Për më tepër për sa kohë nuk ka vaksina ose një kurë efikase, në momentin që kufizimet që bëjnë të mundur mos përhapjen e gjerë do të relaksohen sadopak, për një arsye apo tjetër, zinxhiri i infektimit fillon përsëri si më parë. Por këtë rradhë e gjen shoqërinë dhe vendin shumë më të dobët ekonomikisht, edhe më të demoralizuar.
Përqasja drastke i ka ditët e kufizuara dhe pasojat ekonomike e sociale shumë të rënda. Shqipëria duhet të mbrojë me forcë shtresat më vulnerabël ndaj virusit. Por në të njëtën kohë duhet të sigurojë me çdo kusht funksionimin sa më normal të ekonomisë e të shoqërisë. Këtë punë nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm, as një skuadër e vetme, por shumë e shumë skuadra-institucione me objektiva të qarta, por edhe të ndryshueshme sipas evoluimit të situates, të koordinuara sigurisht në nivel qendror. Një prodhues serrash me banim në qytet kërkonte të shkonte tek serrat në fshat por nuk merrte dot leje nga policia. Po kështu pothuaj të gjithë veterinerët kanë probleme në lëvizje. Institucionet shqiptare rrallë herë e kanë kuptuar se çfarë do të thote të prodhosh ushqim dhe vetëm ekonomia e lire tregut e pakontrolluar nga ato bëri të mundur të kemi ushqim pa racionim. Por në përgjithësi nuk ka një shqiptar apo dhe një francez të mos jetë rast i veçantë. Por me ndryshimin që shqiptarit mjafton të jetë pak me i barabartë se të tjerët, dmth te jetë i pari i grupit dhe aty liria për të tjerët aty vdes. Në praktikë me lejet e qarkullimit kemi që policia kontrollon aktivitetin ekonomik të vendit me ane te lejeve per çdo lëvizje të çdo individi e biznesi me makine e tani dhe në këmbë. A ka ndonjë vend në botë ku ekonomia kontrollohet nga policia? Mos dolem përseri te kapteri që ndan kamionat në bataliona? Fakti që shteti vendos një gati ligj që të të bllokojë makinen, kur kapesh duke lëvizur në këmbë flet vetë.
Që qeveritë bëjnë zgjedhje duke fishkëllyer kjo duket dhe kur ndajnë avionët sado me emra migjeniane që evokojnë një të shkuar ish-mbretërore. Të gjitha kompanitë ajrore të botës këto ditë janë në prag falimentimi për shkak të mos fluturimeve prej korona virus. Air Albania një biznesi që nuk arriti të ngrihej lart as sa kulla e stadiumit tashmë mund të shpresojë vetëm të rishesë emrin e stadiumit.
Pavionet e zakonshme dhe ato reanimacioneve në Shqipëri janë të tejmbushur me pacientë të sëmundjeve të zemres e mushkërive edhe kur temperaturat e ajrit kalojnë vlerat mesatare në dimër apo verë, e jo më në raste epidemish.
A ka një kurë për sistemin tonë shëndetësor? Po, kura është demokracia, janë institucionet demokratike, shteti i së drejtës. Demokracia ashtu si sistem imunitar i njeriut i përmbledh të gjitha sfidat e fituara për të mbrojtur shoqërinë nga kolapsi, qoftë ai shendetësor, ekonomik apo klimatik. Diktatura sigurisht është më e thjeshtë për t’u ndërtuar ashtu si u ndërtuan 600 mijë bunkerë. Institucionet demokratike nuk janë struktura fizike që ndërtohen me autocad e 3D, as duke ndare kamiona e as pse u bëre më modern me aviona për bataliona.
Atehere dhe dilema zgjidhet më lehtë, një sistem që të ofrojë mirëqënie jo vetëm materiale duhet të ofrojë shtet të së drejtës, institucione përfaqësuese të lira e demokratike të cilat ti si qytetar i thërret me “nje fishkëllimë”. Një arsye për të dalë tani nga shtëpia në kushtet e shtet rrethimit në vendet e EU është të shëtisësh qenin. Kush do një rrugë të shkurtër për të dalë nga shtëpia në Shqipëri në oraret e shtetrrethimit duhet të ankohet tek organizatat për të drejtat e kafshëve në Europë. Kush po fishkëllen tani kafsha apo njeriu? Shqiptaret mund të kenë shumë probleme të mbajnë distancen sociale, shumë, më shumë se psh britanikët. Nuk është çështje edukate, është çështje demokracie. Kur ti një qënie unike si njeri, zgjidhesh e zgjedh, je i përfaqësuar e të përfaqësojnë, punon e paguan, krijon dhe konsumon, respekton dhe të respektojnë, vendos dhe zbaton rregullat e vendosura, atëhere e mbron më së miri veten dhe të tjeret. Ath ke arritur atë mirëqenien më të madhe shpirterore e materiale që kërkojnë ata ekonomistët, vetë realizimin “unë jam”.
*Inxhinier i zhvillimi të qëndrueshëm, Oxford.