Nga Pano Soko
Personalisht jam i bindur që sistemi elektoral që do të niste një epokë të re të demokracisë në Shqipëri është Proporcionali Kombëtar me Lista të Hapura.
Ka një arsye përse në Shqipëri janë provuar të gjitha sistemet elektorale, nga mazhoritari i pastër, mazhoritar me korrektim proporcional e deri tek proporcionali rajonal, vetëm proporcional kombëtar i pastër me lista të hapura, asnjëherë, megjithëse është sistemi më logjik për vende të vogla, etnikisht monolite si puna jonë. Kosova sapo u shpall Republikë sistemi i parë dhe i vetëm që miratoi ishte Proporcional Kombëtar me Lista të Hapura (natyrisht me ato vendet e rezervuara për serbët e Veriut). Fleta e votimit në foto është ajo që përdoret në Kosovë.
Sepse ky sistem nuk kontrollohet dot nga askush, as nga Kryetarët e partive, as nga të fortët e qyteteve apo krahinave, e as nga oligarkët. Këtë nuk e kontrollonin dot, prandaj nuk e kanë vënë asnjëherë.
– Si funksionon?
Proporcionali Kombëtar me Lista të hapura funksionon në këtë formë.
Çdo parti paraqet listën e vet me 140 kandidatë për deputetë të cilën e bën publike. Çdo numër i korrespondon një emri. Pra nr.1 Filan Fisteku, nr.2 Jorgan Dysheku..deri në 140.
Votimi në fletën e votimit është me dy shënime. Një tek sigla e Partisë (apo listës qytetare) dhe e dyta nr.e kandidatit tënd të preferuar.
Pra nëse do të votosh Pano Sokon e PS se të pëlqen ta kesh deputet, te fleta e votimit voton siglën e PS dhe nr.rendor që ka në listën e PS (supozojmë nr.3).
Nëse do të votosh Pano Sokon e PD, voton siglën e PD dhe nr.rendor që Pano ka te lista e PD.
Nëse PS (apo PD) ka fituar në bazë të përllogaritjes totale psh 50 deputetë, hyjnë 50 kandidatët që kanë marrë më shumë vota.
Pra, jo siç është aktualisht, më lista të ndara për çdo qark, por një listë kombëtare që votohet nga Konispoli në Vermosh.
– Kush janë përfitimet?
Do ta ndaj në dy pjesë.
E para është lista e hapur. Pra jo më me lista të mbyllura ku renditjen e përcakton Kryetari i Partisë, por me lista të hapura ku renditjen e përcaktojmë ne me votë. Sot, renditjen kush është i pari, i dyti..e me rradhë e cakton Kryetari i Partisë, duke “emëruar” praktikisht deputetë.
Për shembull, PS-ja në Tiranë aktualisht ka të sigurtë (gjallë a vdekur) 12 deputetë. Kjo do të thotë që 12 të parët e listës së PS janë praktikisht të “emëruar” nga Kryetari kur harton listën. Pra nuk i zgjedhim ne, i emëron kryetari kë i do qejfi atij.
Me listat e hapura kjo nuk ndodh, sepse janë numri i votave që ti merr ai që përcakton se je i pari, i 12-i, apo i 140-i.
E dyta është faktori i listës kombëtare, jo rajonale. Mizerrabiliteti i përbërjes aktuale të parlamentit, me figura të botës së zezë, i atribuohet faktit të zonave rajonale. Partitë për të siguruar sa më shumë vota në një rajon të caktuar, për të nxjerrë sa më shumë deputetë nga ajo zonë, kanë bashkëpunuar, madje së fundmi i kanë futur direkt në lista “të fortët” e këtyre zonave. Ndoka, Frroku, Doshi, Fufi etj. janë produkt drejtpërdrejt i sistemit rajonal. Sepse në zonat e tyre ata janë zot dhe kur sistemi varet nga zonat, atëherë ata kthehn në zotër të sistemit. Do të fitosh në Malësi të Madhe duhet të marrësh Tom Doshin, në Krujë duhet të kesh Rrahjan, në Lezhë Frrokun etj. Madje kaq të fortë i kthen ky sistem këta ‘të fortët’ lokalë, saqë imagjinoni, Tom Doshi fitoi duke qënë kandidat i PSD.
Proporcionali kombëtar shfaktorizon këta faktorët lokalë. Sepse duke qënë një listë në të gjithë vendin, çdo parti do të përpiqet të zgjedhë figura kombëtarisht të pranuara, jo ‘të fortë’ krahinash. Sepse i forti lokal do marrë votat e krahinës së tij, por do refuzohet nga gjithë pjesa tjetër e vendit.
Dhe figurat që marrin konsensus kombëtar janë detyrimisht figura me prestigj dhe kontribute, profesorë, njerëz të artit, njerëz të dijes. Njerëz që kanë virtyte që iu njihen në rang kombëtar. Pra nuk do vendosësh Arben Ndokën, apo Mhill Fufin, por do kërkosh të vendosësh Edmond Tupen apo Artan Fugën në listë. Sepse këta janë figura që populli iu jep votat nga Konispoli në Vermosh.
Prandaj proporcionali kombëtar me lista të hapura është sistemi i duhur që deputetët ua merr kryetarëve dhe ia jep popullit. Është populli ai që i zgjedh deputetët.
Dhe kjo është dhe në interes të vetë antarëve të thjeshtë të partive, qofshin PS, PD, LSI e me rradhë. Sepse socialistët e thjeshtë janë të parët që nuk duan që partia e tyre të përfaqësohet nga Frroku, Ndoka, Prenga etj.. Janë të parët që skuqen nga turpi e nga marrazi kur iu duhet të mbrojnë këta lloj tipash. Pse?-Sepse kështu tha Kryetari, apo kështu është sistemi elektoral që duhet t’i marrësh këta në listë nëse do të fitosh deputetët.
E njëjta gjë dhe antarët e thjeshtë të PD kur iu duhet të justifikojnë Mhill Fufin.
Janë socialistët e demokratët e thjeshtë, dhe bashkë me ta dhe i gjithë populli, që duan që parlamenti të jetë tempulli i njerëzve me prestigj, integritet e virtyte shoqërore.
Dikur 140 deputetët e parlamentit kishin botuar më shumë libra sesa gjithë pjesa tjetër e popullsisë, sot 140 deputetët kanë më shumë lekë se gjithë pjesa tjetër e popullsisë.
Prandaj unë mbështes sistemin Proporcional Kombëtar me Lista të Hapura, modeli i Kosovës, sepse është më demokratiku, më i përshtatshmi i mundshëm për realitetin historik, demografik e kulturor shqiptar.
Prandaj kur të dalë Peticioni për sistemin elektoral, më shënoni PRO!
Mendoj qe nje sistem zgjedhor me lista te hapura, eshte zgjidhje optimale per te garantuar integritetin e personave qe zgjidhen nga populli, dhe do te sjelle nje parlament me njerez figura te rendesishme publike, akademike, etj. Ajo cka nuk permendet ne shkrim, qe une mendoj eshte po aq e rendesishme sa edhe listat zgjedhore te hapura, eshte fakti qe kemi nje nevoje emergjente te ulil numrin e deputeteve. Kujt i duhen 140 deputete? A nuk jemi ne dijeni qe pothuaj gjysma e tyre nuk flasin asnjehere te vetme ne 4 vjet, e jo me te propozojne ligje, amendime apo nisma. Jane totalisht inekzistent, dhe jam i sigurte qe ky numer i madh deputetesh eshte bere me qellim dikush te zgjidhet deputet me 5000-6000 vota. Eshte qesharake dhe rrit fuqine krahinore nese mesatarisht nje deputet del me kaq vota. Duhet analizuar dhe marre ne konsiderate ulja e numrit te deputeteve, fillimisht ne 100 dhe me tej ndoshta ne 70/80. Per vete madhesine e vendit, numrin e popullsise dhe shperndarje demografike, nuk besoj se duhen me teper se kaq. Ne njesituate me le te themi 100 deputete, minimalisht, kemi pastruar parlamentin nga nje tufe prej 40 deputetesh qe jane me te pavleret, me te pashkolluarit, me te inkeiminuarit. Nuk i duhen as dreqit. Duke ulur numrin, rrjedhimisht duhen me teper vota per te garantuar nje mandat, dhe kjo e ben gjithmone e me te vogel peshen e ndikimit krahinor, farefisnor dhe sidomos blerjen e votes. Sa i perket proporcionalit kombetar duhet pare me kujdes sepse eshte e verte qe eshte me pefaqesues, por i largon totalisht te zgjedhurit nga populli. Praktikisht nje zone e caktuar nuk ka asnje pike referimi. Dikush mund te thote qe po shume mire, cpune ka deputeti me zonen. Une mendoj qe akoma duhet prezenca e deputeteve per t adresuar disa problematika dhe ne momentin qe ti ke zgjedhur ne parlament me te miret, ne saje te listave te edhe ai qe te perfaqeson mundet realisht te behet zeri yt ne parlament per qeverine. Pra mund te ruhet sistemi i qarqeve por Tirana nga 32 le te kete 20 deputete e me radhe. Nuk i duhen 16 Fierit, i mjaftojne 10. Duhet analizuar me qetesi por listat e hapura jane po aq te rendesishme sa ulja e numrit te pergjithshem te deputeteve.
Mendoj se ke te drejte per numrin e deputeteve, por per kete duhet nje debat me i gjere ne rang shteteror.
Sigurisht, qe duhet analize e thelluar qe te percaktoje numrin final, por ne parim ulja e numrit te deputeteve, zgjidh shume problematike. Sa i perket numrit final, a do te jene 100 apo 80 apo cfaredo, duhet studiuar jeta dhe funksionet parlamentare, dhe dilet me nje numer. Ne momentin qe kjo behet paralel me listat e hapura, u kemi thene mirupafshim njehere e mire bajraktareve lokale, cubave varsetrashe, dhe krimineleve me para.
Mendim i mire. Po prape shtrohet pyetja se kush in nxjerr listat? Kryetari, Kryesia apo baza? Edhe ky sistem fatkeqesisht nuk e rregullon kete detaj te vogel. Edhe un jam me parafolesit, qe kjo teme duhet debatuar me gjere.
Shume mendime te mira nga te gjithe ju, kjo do te sillte nje nder zgjidhet per problemet e shumta qe kemi, pyetja eshte si mund t’ia arrijme? Si do vepruar per te arritur kete qellim? Pushtetareve aktuale sigurisht qe nuk u sherben kjo lloj ideologjie pasi e kane shtruar dhe prere kete “jorgan” sipas interesave vetjake, te mire llogaritura per te perfituar dhe grabitur sa me shume, dhe ku natyisht nuk ka aspak rendesi nese popullit i zihet fryma. Me qellim dhe vetedije te plote kane bere kete lloj menyre votimi dhe e kane sjelle vendin ne gremine te plote.
Duhet nje “grusht i forte” ne Shqiperi, nje revolucion.