Propozimi ligjor i Nismës Thurje për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KOMISIONI I POSAÇËM PËR REFORMEN ZGJEDHORE
PROJEKTLIGJ

Nr. ______/ 2019
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008 ‘KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 81 pika 2 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një
grupi deputetësh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

VENDOSI:

Në ligjin Nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar të bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijon:

Neni 1
Neni 2, pika 25 ndryshon si më poshtë “25. “Zonë zgjedhore” është gjithë territori i Republikës së Shqipërisë në rastin e zgjedhjeve për deputetë dhe i bashkisë përkatëse në rastin e zgjedhjeve lokale.”
Neni 2
Neni 21, pika 5, shfuqizohet.
Neni 3
Pas nenit 21/2, shtohet neni 21/3 me përmbajtje si më poshtë

“Neni 21/3
Kompetenca të tjera
1. Drejton dhe kontrollon kolegjialisht, nëpërmjet çdo anëtari ose strukturave të saj, procesin e zgjedhjes së kandidatëve për deputetë, kryetarë bashkish apo antarë këshillash bashkiakë në çdo parti, sipas përcaktimeve të ligjit për partitë politike.
2. Çertifikon listat e kandidatëve që çdo parti nxjerr, bazuar në përcaktimet e ligjit për partitë politike.”
Neni 4
Neni 64, Pika 2, gërma b) hiqet shprehja “i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët”
Neni 5
Neni 67, Pika 5, ndryshon si më poshtë “5. Emrat në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete apo numri i përgjithshëm i kandidatëve të një koalicioni nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri total i mandateve. Për një parti pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve nuk mund të jetë më i vogël sesa gjysma e totalit të mandateve. Për listat shumemërore për këshillat e bashkisë zbatohet i njëjti rregull.”
Neni 6
Neni 67, pika 6, ndryshon si më poshtë “6. Të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas pikës 2 të nenit 164 të këtij Kodi.
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, për çdo këshill bashkie, një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë së njëjtës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas paragrafit të dytë, të pikës 2, të nenit 164, të këtij Kodi.”
Neni 7
Neni 68, pika 1, ndryshon si më poshtë “1. Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 1,000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 3,000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.”
Neni 8
Neni 69, pika 3, ndryshon si më poshtë “Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës, të cilët janë të ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin, sipas këtij Kodi. Jo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit. Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për deputet vetëm në rast se ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon jo më pak se 1,000 zgjedhës, sipas procedurave të përcaktuara në Kod.”
Neni 9
Në neni 71, pika 2, hiqet fjalia e fundit “Në zbatim të nenit 69 të këtij Kodi, zgjedhësi duhet të jetë i regjistruar në zonën zgjedhore përkatëse”
Neni 10
Neni 72, pika 2, gërma a) ndryshon si më poshtë “a) listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i KQZ, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish.”
Neni 11
Neni 72, pika 2, gërma d) ndryshon si më poshtë “d) një listë të nënshkruar nga zgjedhësit që mbështesin kandidatin ose partinë, sipas neneve 69, 70 dhe 71 të këtij Kodi.”
Neni 12
Neni 72, pika 3, ndryshon si më poshtë “3. Për zgjedhjet në organet e qeverisjes vendore, kërkesa e pikës 2 shkronja “a” të këtij neni është e njëjtë.”
Neni 13
Neni 73, pika 3, ndryshon si më poshtë “3. KQZ-ja e publikon listën e plotë të kandidatëve në media kombëtare dhe lokale si dhe në faqen zyrtare të saj në internet.”

Neni 14
Titulli i Pjesës V, ndryshon si më poshtë “ZONA ZGJEDHORE DHE NUMRI I MANDATEVE”
Neni 15
Neni 74 ndryshon si më poshtë:
“Neni 74
Zona Zgjedhore
Zona zgjedhore përputhet me territorin e Republikës së Shqipërisë në rastin e zgjedhjeve për deputetë dhe me bashkinë në rastin e zgjedhjeve lokale”
Neni 16
Neni 75 shfuqizohet.
Neni 17
Neni 76 shfuqizohet.
Neni 18
Neni 94, pika 4, ndryshon si më poshtë “4. KQZ-ja përgatit kushtet e nevojshme për përdorimin e sistemit elektronik të numërimit të votave. Sistemi elektronik i numerimit vendoset në çdo tavolinë dhe ai është i lidhur në kohë reale me serverin qëndror të numerimit të votave në KQZ.”
Neni 19
Neni 95, pika 1, ndryshon si më poshtë “1. Për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së, 10 ditë para ditës së votimit, caktohen Grupe Numërimi të Votave. Numri i grupeve të numërimit është dy për çdo tavolinë numërimi, sipas pikës 2 të nenit 94 të këtij Kodi.”
Neni 20
Neni 95, pika 2, ndryshon si më poshtë “2. Grupet e numërimit të votave përbëhen nga dy anëtarë që i përkasin trupës së gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve të qarkut në të cilin ndodhet ZAZ.”

Neni 21
Neni 95, pika 3 shfuqizohet.
Neni 22
Neni 95, pika 4 shfuqizohet.
Neni 23
Neni 96 shfuqizohet.
Neni 24
Neni 97, pika 1, hiqet fraza “për të gjitha zonat zgjedhore”.
Neni 25
Neni 98, pika 1 ndryshon si më poshtë “1. Fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZ-ja. Fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve me akt normativ të KQZ-së.
Fleta e votimit përmban elementë teknikë sigurie që nuk lexohen me sy të lirë.”
Neni 26
Neni 98, pika 3, ndryshon si më poshtë “Në krahun e majtë të fletës së votimit vendosen emrat e partive politike, ose kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit. Emrat vendosen në fletën e votimit, sipas rendit të përcaktuar në mënyrë të rastësishme nga shorti. Përbri emrit të partisë vendoset sigla, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi.
Në krahun e djathtë vendosen numrat rendorë nga 1 në 140 që i përkasin numrit rendor të kandidatëve për çdo parti politike. Çdo numër duhet të ketë në krah hapësirën përkatëse ku shënohet vota nga zgjedhësi.”
Neni 27
Neni 106, pika 1, ndryshon si më poshtë “1. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon shenjën “x” ose “+” tek vendi i shenjimit të votës për partitë politike apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit në krahun e majtë të fletës.
Në listën e partive politike në krahun e majtë të fletës, zgjedhësi mund të shenjojë vetëm një prej hapësirave të caktuara për shenjim.
Njëkohësisht, në krahun e djathtë të fletës ku janë shënuar numrat nga 1 deri në 140 që i përkasin numrave të kandidatëve, zgjedhësi mund të shenjojë me “x” ose “+” deri në pesë numra, që iu përkasin pesë kandidatëve që ai dëshiron të zgjedhë nga lista e kandidatëve të partisë që ai ka votuar.”
Neni 28
Neni 116, pika 5, ndryshon si më poshtë “5. Pas nxjerrjes së Procesverbalit të Mbylljes së Votimit apo plotësimit të Procesverbalit të Konstatimit, Grupi Numërimit nxjerr nga kutia fletët e votimit dhe zarfin me Procesverbalin e Vulosjes, i shpalosin fletët e votimit dhe i vendosin mbi tryezë me pjesën e pasme të fletës nga ana e sipërme.”
Neni 29
Neni 116, pika 6 ndryshon si më poshtë “6. Fletët e votimit të stivuara vendosen më pas në pajisjen e numerimit elektronik të votave, e cila kryen numerimin e votave në mënyrë automatike.”
Neni 30
Neni 117, pika 2, ndryshon si më poshtë “2. Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit në krahun e majtë të fletës përkatëse të votimit, si dhe njëkohësisht nuk është votuar ose është votuar qartësisht për nje, dy, tre, katër ose pesë kandidatë në krahun e djathtë të fletës përkatëse të votimit.”
Neni 31
Në nenin 117, në pikën 3, shtohet gërma f) si më poshtë “f) zgjedhësi ka votuar më shumë se pesë kandidatë në krahun e djathtë të fletës së votimit.”
Neni 32
Neni 118, pika 1, gërma c) ndryshon si më poshtë “c) sistemi elektronik i numerimit automatikisht vlerëson nëse ekziston ndonjë nga shkaqet e tjera për deklarimin e votës së pavlefshme, të parashikuara në shkronjat “c” deri “f” të nenit 117 të këtij Kodi; nëse ekziston një nga këto shkaqe, e vlerëson votën të pavlefshme.”

Neni 33
Neni 118, pika 2, ndryshon si më poshtë “2. Numëruesi i parë i Grupit të Numërimit, në rast se nuk ekziston asnjë nga rrethanat e përcaktuara në pikën 1, gërma a) dhe b) të këtij neni, vendos fletët e votimit tek pajisja e numërimit elektronik të votave.”
Neni 34
Neni 118, pika 3, pika 4, pika 5, pika 6, pika 7 abrogohen.
Neni 35
Neni 119 shfuqizohet.
Neni 36
Neni 122 shfuqizohet.
Neni 37
Neni 123, pika 1, ndryshon si më poshtë “1. KQZ-ja verifikon të dhënat e ardhura nga KZAZ dhe rezultatin e nxjerre nga sistemi i numërimit elektronik dhe nxjerr rezultatet e votimit për Kuvendin apo për njësinë e qeverisjes vendore, territori i së cilës është i ndarë në dy apo më shumë ZAZ, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse.”
Neni 38
Neni 162, pika 1, ndryshon si më poshtë “1. Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë. Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme.”
Neni 39
Neni 162, pika 2, ndryshon si më poshtë “2. Numri i votave të vlefshme të secilit subjekt pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1. Hapi nga njëri pjesëtues tek tjetri është 2. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

Neni 40
Neni 162, pika 4, ndryshon si më poshtë “4. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, përfshirë edhe rezultatin e pikës 3 të këtij neni, renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve.”
Neni 41
Neni 163, pika 1, ndryshon si më poshtë “Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar.”
Neni 42
Neni 163, pika 2, ndryshon si më poshtë “2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.”
Neni 43
Neni 163, pika 3, ndryshon si më poshtë “3. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit.”
Neni 44
Neni 163, pika 5, ndryshon si më poshtë “5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike. Mandatet për çdo kandidat shperndahen në bazë te numrit të votave që çdo kandidat ka marrë individualisht. Votat e vlefshme të cilat nuk kanë të shenjuar asnjë kandidat numërohen si vota për 5 kandidatët e parë sipas renditjes numerike të listës së kandidatëve të dorëzuar në KQZ.
Kandidatët renditen sipas numrit të votave që ata kanë marrë. Mandatin e parë e merr kandidati që ka më shumë vota, mandatin e dytë e merr kandidati i dytë me më shumë vota e kështu me rradhë derisa përfundojnë gjithë mandatet.
Nëse numri i mandateve është më i madh se numri i kandidatëve që kanë marrë vota individuale, atëherë mandatet e mbetura pas shpërndarjes së mandateve kandidatëve që kanë marrë vota individuale, shpërndahen sipas rradhës së përcaktuar në renditjen numerike të listës së kandidatëve të dorëzuar në KQZ.”
Neni 45
Neni 163, pika 6 shfuqizohet.
Neni 46
Neni 163, pika 7, ndryshon si më poshtë “7. Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, miratohet me vendim. Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, sipas procedurave të pjesës XI të këtij Kodi, nga subjektet e parashikuara në pikën 1 të nenit 124, përfshirë edhe kandidatët e listës shumemërore.”
Neni 47
Neni 164, pika 2, ndryshon si më poshtë “2. Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit fitues të rradhës sipas përcaktimeve të nenit 163, të listës së të njëjtës parti politike. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”
Neni 48
Neni 167 ndryshon si më poshtë “Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve, sipas pikës 7 të nenit 163 të këtij Kodi dhe pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi.”

Neni 49

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

GRAMOZ RUÇI

KRYETAR I KUVENDIT

Comments (0)
Add Comment