Këshilla e amerikanit për 13 milionë eurot…*

0

Nga Erion Delvina

Bill Hammpton, strategjisti amerikan i komunikimit politik të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i sapovendosur me zyrë në selinë e saj, hyri i fundit në sallën ku drejtuesit më të rëndësishëm politik të partisë rrinin të mbledhur prej disa minutash. Diskutonin në enklava mes vetesh, herë nga njëra ndenjëse në tjetrën, herë në copëza shënimesh që më pas asgjësoheshin, e herë me mesazhe telefonike të programeve të ndryshme, kryesisht të papërgjueshme.

Amerikani, një burrë i zhdërvjellët, hoqi xhaketën e tij kafe, e vari mbi njërin gisht dhe e la të rrëshkasë mbi krerët e një karrigeje të palëvizshme. Ndërsa nisi të shkopsiste e më pas përvishte mëngët, me shumë sportivitet, pa kërkuar ndjesë për vonesën hapi mbledhjen:

“Është një mundësi e artë komunikimi për ne. Vendimi i Strasbourg-ut, familjen drejtuese të Partisë Demokratike mund ta bëjë ose të pasur, ose edhe të pasur edhe fituese. Po të mos ishit të pasur, unë nuk do të isha këtu. Por ju jeni të pasur dhe më keni sjellë për të qenë edhe fitues.”

Befas i’u drejtua Erionit, vëllait të bashkëshortes së kryetarit, përherë i pranishëm në mbledhje dhe njëherësh administrator i firmës ndërtuese “Isufi”.

“Sa kushtoi investimi fillestar i ndërtimit të familjes suaj?”.

“1.8 milionë dollarë, me gjithë shpenzimet për truallin e dokumentacione të tjera, 2.5 milionë dollarë”, – u përgjigj ai.

“Sa ishte shuma e akumuluar nga blerësit në momentin e vendimit për prishjen e ndërtimit?”, -vijoi shtatlarti, që sapo kishte vënë njërën dorë mbi karrigen ku prehej xhaketa prej disa çastesh.

“2.2 milionë dollarë”, – nuk vonoi përgjigjja e z. Isufi.

“Nëse shtojmë presionin për zbatimin rigoroz të vendimit të Strasbourg-ut dhe marrim 15 milionë euro, atëherë kjo do t’i kushtojë çdo shqiptari që jeton brenda territorit të Republikës së Shqipërisë 7.5 euro, ose, thënë ndryshe, çdo zgjedhësi që jeton brenda territorit të Republikës së Shqipërisë 9.9 euro”.

“Ku doni të dilni, z. Bill?”, -pyeti z. Isufi.

“Tërhiqni paratë e investimit fillestar, 2.5- milionëshin, tërhiqni paratë e shpërblimit të ish-pronarëve të apartamenteve, 2.2-milonëshin dhe, me një deklaratë të përbashkët familjare bëjuani me dije shqiptarëve dhe zgjedhësve që, shpërdorimin dhe shkujdesin qeveritar, ua kursyet me sa mundët çdo zgjedhësi me të paktën 6 dhe 7 euro nga taksat e tyre”, – tha z. Hammpton dhe i dha vetes një duartrokitje të lehtë, të shoqëruar nga shikimet tejshpuese të të pranishmëve.

“Kjo është marrëveshje e vërtetë me popullin, që në njërën anë minon pikën më të fortë të kundërshtarit tuaj, strategjinë e aleancës për bashkëqeverisje me të dhe në anën tjetër, shpëton drejtimin e kësaj partie nga një kurth i dytë i ngritur në pyllin e perceptimit publik: se marrëveshja parazgjedhore mes palëve, veç të tjerash na paskërka qenë edhe për interesa të ngushta, a në doni t’i quani edhe të ulëta, financiare”, vijoi syqeshur z. Hammpton.

“Kjo do të ishte katastrofike për ju të gjithë!”, tha ai duke rrotulluar sytë shpejtaz.

Në sallë disa zëra nisën të zjenin, por përsa koka e z. Berisha qëndronte e përkulur dhe sytë e z. Basha ende të palëvizur, ende asnjë zë nuk po artikulohej në fjali. Kryetari i PD-së, z. Lulzim Basha ngriti dorën për t’i bërë shenjë asistentes së re të shuante kondicionerët. Duket se syri i tij kishte kapur bulëzat e djersës në ballin e amerikanit.

Sytë e disa të pranishmëve rrokën lëvizjen e dorës së kryetarit dhe lëshuan pasthirrma: “Eh, vapë u bë, vapë!”

Duke fshirë djersët me pëllëmbë, ashtu kërrusur mbi kokën e karriges që e mbante mbërthyer me dorën tjetër, amerikani vijoi: “Është flamuri i vetëm moral që mund t’i japë kuptim 27 janarit për ju të gjithë. Mos e hidhni!”.

“Dëshmoni se ju kënaqeni nga e drejta e fituar ligjërisht, e jo nga para shqiptarësh që mbulojnë papërgjegjshmëritë e qeverive të sotme e të djeshme”, – këshilloi z. Hammpton.

“Refuzojeni pjesën tjetër të parave, e, për t’i qëndruar një beteje që vetë e luajtët më parë në nivel komisionesh parlamentare, trysnoni që të shpërndahen në formën e buxhetit të shtuar për tre institucionet e vetting-ut, gjë që bashkatdhetarëve të mi në ambasadën e këtushme, të cilët aq shumë i keni nervozuar, do ta lexojnë si mbështetje të reformës në drejtësi e do ta pëlqejnë shumë”, – mbylli fjalën Billi e, sikur prej saj të kishte dalë një ide përvëluese, nisi ta krruante kokën pa kujdes.

*Titulli u vendos nga redaksia e blogut.

Leave A Reply

Your email address will not be published.